
Të paktën 23 persona kanë humbur jetën në Meksikë pas një jave me reshje të dendura shiu, që kanë përfshirë pothuajse të gjithë vendin, njoftuan autoritetet të premten.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, shirat e rrëmbyer kanë prekur 31 nga 32 shtetet e vendit, me zonat më të goditura në Veracruz (lindje), Querétaro dhe Hidalgo (qendër), si dhe në San Luis Potosí (veri-qendër), përcjell The Guardian.
Në shtetin Hidalgo janë regjistruar 16 viktima dhe rreth 1,000 banesa janë përmbytur, ndërsa në Puebla janë raportuar 5 viktima të tjera dhe 11 persona të zhdukur.
Një fëmijë humbi jetën në Veracruz, ndërsa një oficer policie u raportua i vdekur në Querétaro.
Koordinatorja kombëtare e Mbrojtjes Civile, Laura Velázquez, deklaroi se përmbytjet janë shoqëruar me rrëshqitje dheu, dalje të lumenjve nga shtrati dhe shembje rrugësh në disa rajone.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, pas një takimi urgjent me zyrtarë lokalë dhe anëtarë të kabinetit, theksoi se autoritetet “po punojnë për të ndihmuar popullsinë, për të rihapur rrugët dhe për të rikthyer energjinë elektrike”.
Ushtria është dislokuar në zonat më të goditura për të shpërndarë ndihma, me mbi 5,400 trupa, pajisje shpëtimi dhe automjete të specializuara. Janë hapur gjithashtu strehimore emergjente për njerëzit e detyruar të lënë shtëpitë e tyre.
Vendi po përballet këtë vit me reshje jashtëzakonisht të dendura, me rekord shiu të regjistruar edhe në kryeqytetin Mexico City.
Ndërkohë, Stuhia Tropikale Raymond po lëviz përgjatë bregut të Paqësorit dhe po shkakton dëme në shtetet Chiapas, Guerrero, Oaxaca dhe Michoacán.
Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve të SHBA-së, stuhia pritet të godasë fundjavën këtë jugun e gadishullit Baja California.