
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me zgjedhjet e pjesshme vendore të planifikuara për më 9 nëntor në gjashtë bashki të vendit, përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës.
Në një intervistë për emisionin “Log.” në News24, Celibashi u ndal te ankesa e kryebashkiakut aktual të Tiranës, Erion Veliaj, në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e një ngërçi ligjor për organizimin e zgjedhjeve në kryeqytet.
“KQZ nuk ka kompetenca për të gjykuar ligjshmërinë e dekretit të Presidentit. Nga momenti që dekreti është shpallur, ne jemi të detyruar të vijojmë përgatitjet për zgjedhjet. Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor nuk na japin ndonjë rol tjetër përveç organizimit të procesit”, deklaroi Celibashi.
Kreu i KQZ sqaroi më tej se institucioni që ai drejton nuk mund të ndalë përgatitjet për zgjedhjet vetëm në bazë të një ankese apo pa një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
“Nuk ka një detyrim që ne të ndalojmë punën. Mbi çfarë baze ligjore duhet të mos vazhdonim përgatitjet? Ne nuk kemi tagër të vlerësojmë nëse Presidenti ka gabuar apo jo me dekretin e tij. Kjo është përgjegjësi e Gjykatës Kushtetuese,” u shpreh Celibashi.
Duke iu referuar konkretisht çështjes së Tiranës, Celibashi theksoi se KQZ nuk mund të konstatojë nëse Veliaj është shkarkuar apo jo, për aq kohë sa ekziston një dekret i Presidentit që ka shpallur zgjedhjet për 6 bashki.
“Kemi dekretin që përcakton mbajtjen e zgjedhjeve. Ne nuk jemi organ për të gjykuar ligjshmërinë e vendimmarrjes që ka çuar te ky dekret. Përndryshe, do të hynim në konflikt me Gjykatën Kushtetuese,” tha ai.
Në përmbyllje të intervistës, Celibashi garantoi se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet në mënyrë të menjëhershme dhe të plotë nga KQZ.
“Nëse ka një vendim për pezullimin apo shpalljen e zgjedhjeve si të pavlefshme, atëherë ne angazhohemi. Nëse vendoset pezullimi, nuk do të zhvillohen. Nëse shpallen të pavlefshme, do të ribëhen,” përfundoi ai.