Vendosni fjalën kyçe....

KE-ja propozon dyfishimin e tarifave ndaj importeve të çelikut



Komisioni Evropian ka paraqitur një propozim për dyfishimin e tarifave mbi importet e çelikut në Bashkimin Evropian, duke i çuar ato në 50 për qind. Kjo masë synon të mbrojë prodhuesit evropianë nga konkurrenca e ashpër, sidomos nga vendet si Kina, njoftoi të martën Komisionari për Industrinë i BE-së, Stephane Sejourne, përcjell REL.

Përveç rritjes së tarifave, volumi i importeve që përjashtohen nga këto masa do të reduktohet në gjysmë, duke kufizuar edhe më tej hyrjen e çelikut të jashtëm në tregun evropian.

Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së duhet të miratojnë këtë propozim përpara se të hyjë në fuqi.

“Ky është riindustralizimi i Evropës,” shkroi komisionari Sejourne në rrjetin social X, duke theksuar rëndësinë e kësaj mase për ruajtjen e vendeve të punës në sektorin e çelikut.

Komisioni Evropian vlerëson se ekziston një tepricë globale prej më shumë se 600 milionë tonësh çeliku, çka përbën një sfidë për prodhuesit vendas. Shtetet e Bashkuara kanë rritur tarifat ndaj importeve, duke shkaktuar frikën se eksportet drejt SHBA-së mund të rikthehen në tregun evropian, duke rritur presionin ndaj industrisë së BE-së.

Sipas të dhënave zyrtare, Turqia, Koreja e Jugut, India, Vietnami, Kina, Japonia, Britania dhe Ukraina janë burimet kryesore të importeve të çelikut në BE.

Gjermania, vendi me industrinë më të madhe të çelikut në bllok, po përballet me sfida të mëdha, veçanërisht për shkak të krizës në industrinë automobilistike.

Tarifat e reja synojnë të ofrojnë një mburojë më të fortë ndaj importeve nga Azia dhe do të zëvendësojnë mekanizmin aktual mbrojtës që skadon në qershor 2026, duke siguruar një zgjidhje afatgjatë për industrinë evropiane të çelikut.