Nga konfiskimi i deri në 10% të sipërfaqes ndërtimore për punime pa leje apo me tejkalim të kushteve të lejes së ndërtimit, deri te gjoba maksimale prej 2 milionë lekësh për ndërtimet pa leje në zonat bregdetare këto janë disa nga masat e reja të parashikuara nga qeveria për të disiplinuar ndërtimet në vend.
Masat ndëshkuese janë miratuar përmes Aktit Normativ Nr. 8, datë 1.10.2025, i cili sjell ndryshime në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” dhe në ligjin “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”. Aktet janë botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, duke hyrë në fuqi menjëherë.
Sipas ndryshimeve të reja, nëse në një objekt evidentohen punime pa leje apo tejkalime mbi 2% të sipërfaqes së përgjithshme ndërtimore (mbi apo nën tokë), dhe nëse prishja nuk është teknikisht e mundur, atëherë pjesa e ndërtuar në mënyrë të paligjshme konfiskohet për interes publik ose përdoret për strehim social.
Në rastet kur tejkalimi shkon mbi 10%, autoritetet mund të vendosin konfiskimin e të gjithë objektit ose prishjen e plotë të tij. Vendimi për konfiskim merret nga IKMT-ja dhe miratohet nga KKTU-ja (Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Urbanizmit).
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu krijimin e një “liste të zezë”, ku do të regjistrohen të gjithë individët dhe subjektet që kryejnë shkelje të rënda të ligjit të ndërtimit – përfshirë ndërtimet pa leje, tejkalimet e sipërfaqeve apo shkeljet në zonat e mbrojtura.
Të regjistruarit në këtë listë do të përjashtohen nga e drejta për të përfituar leje ndërtimi për 5 vjet, edhe nëse ndryshojnë subjektin ligjor apo emrin tregtar.
Masat përforcohen edhe me një regjim të ri gjobash për ndërtimet pa leje: 5,000 lekë për metër katror ndërtim pa leje për qëllime fitimi, si gjobë minimale; Gjobë shtesë 10% e vlerës së preventivit për ndërtimet pa leje në bregdet, zona turistike, zona të mbrojtura ose pranë monumenteve të kulturës; 2 milionë lekë gjobë për autoritetet vendore që miratojnë leje pa akt konformiteti nga KKTU-ja; Përjashtim 7-vjeçar nga punësimi në shtet për punonjësit publikë të përfshirë në ndërtime të paligjshme.
Akti Normativ vendos edhe detyrimin për regjistrimin e hapësirave publike që rezultojnë nga lejet e ndërtimit, si: trotuaret, gjelbërimi, parqet apo sheshet për rekreacion pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, edhe në rast se ndodhen brenda pronës private, deri në ndërtimin e plotë të objektit. Njësitë vendore do të jenë përgjegjëse për mirëmbajtjen e tyre, ndërsa përdorimi pa leje i këtyre hapësirave ndalohet rreptësisht.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor
