Vendosni fjalën kyçe....

Policia përplaset me protestuesit antiqeveritarë në Gjeorgji



Policia në Gjeorgji është përplasur me protestuesit antiqeveritarë që tentuan të sulmojnë pallatin presidencial në kryeqytetin Tbilisi. Forcat e sigurisë përdorën ujë dhe spraj piperi për të shpërndarë demonstruesit.

Gjeorgjia po kalon një krizë të thellë që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, ku partia në pushtet, Georgian Dream, pretendoi fitoren, ndërsa opozita pro-Bashkimit Evropian e ka cilësuar si të manipuluar zgjedhjen. Qeveria ka pezulluar bisedimet për anëtarësimin në BE që atëherë, përcjell BBC.

Protesta u zhvillua në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale, të cilat opozita po i bojkoton masivisht pas një shtypjeje nga ana e qeverisë. Një nga organizatorët kishte kërkuar më parë arrestimin e drejtuesve kryesorë të partisë në pushtet.

Dhjetëra mijëra protestues me flamuj të Gjeorgjisë dhe BE-së marshuan në qendër të Tbilisit të shtunën. Një prej organizatorëve, tenori operistik Paata Burchuladze, lexoi një deklaratë ku kërkonte që punonjësit e Ministrisë së Brendshme të respektojnë vullnetin e popullit dhe të arrestojnë menjëherë gjashtë figura kryesore të partisë Georgian Dream.

Demonstruesit u përpoqën të hynin në kompleksin e pallatit presidencial, çka detyroi policinë e antimitingjeve të përdorë sprej piperi për t’i shpërndarë.

Kjo protestë vjen pas një shtypjeje të fortë ndaj aktivistëve, mediave të pavarura dhe opozitës politike në muajt e fundit, ku shumica e liderëve të opozitës pro-perëndimore ndodhen tani në burg.