Vendosni fjalën kyçe....

Thirrje për rrëzimin e menjëhershëm të dronëve pas ndërprerjes së fluturimeve në aeroportin e Mynihut


Pas bllokimit të përkohshëm të fluturimeve në aeroportin e Mynihut për shkak të dronëve të dyshuar, kryeministri i Bavarisë Markus Söder ka kërkuar që policia gjermane të ketë kompetencë të plotë për t’i qëlluar dhe rrëzuar menjëherë këto mjete ajrore.

Në një deklaratë për Bild, kreu i CSU tha: “Policia jonë duhet të jetë në gjendje t’i rrëzojë menjëherë dronët, pa pritur. Infrastruktura jonë duhet të mbetet funksionale në çdo moment. Ne kemi nevojë për sovranitet mbi hapësirën tonë ajrore.”

Sipas tij, çështja do të diskutohet në mbledhjen e qeverisë bavareze të martën, ndërsa një projektligj i posaçëm do të përshpejtohet për të ndryshuar rregulloret aktuale, përcjell The Guardian.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm gjerman ka paralajmëruar se kërcënimi nga dronët po bëhet “gjithnjë e më i vështirë” dhe e cilësoi këtë incident si një “thirrje zgjimi për Evropën”.

Ngjarja ka shtuar presionin ndaj autoriteteve gjermane dhe Bashkimit Europian për të forcuar mbrojtjen ndaj dronëve, ndërsa Suedia u ka bërë thirrje institucioneve të BE-së të thjeshtojnë procedurat e prokurimit për sistemet e mbrojtjes ajrore.

Aeroporti i Mynihut, i dyti më i madh në Gjermani, është rihapur pas pezullimit të fluturimeve, por incidenti ka ringjallur shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës kritike ajrore.