
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje liderëve evropianë në samitin e mbajtur në Kopenhagë që të përgatiten për mbrojtje më të fortë kundër dronëve rusë, duke paralajmëruar se Rusia ka aftësinë të shkelë hapësirën ajrore në çdo vend të Evropës, përcjell REL.
“Nëse rusët guxojnë të sulmojnë Poloninë apo të hyjnë në hapësirën ajrore të vendeve veriore të Evropës, kjo do të thotë se kërcënimi mund të ndodhë kudo,” tha Zelensky, duke shtuar se Evropa ka nevojë për reagim të shpejtë dhe forca mbrojtëse efektive ndaj këtyre sulmeve.
Samiti i Komunitetit Politik Evropian vjen pas incidenteve me dronë në Danimarkë, që shkaktuan edhe mbylljen e aeroportit të Kopenhagës më 22 shtator, si dhe pas shkeljeve të tjera të hapësirës ajrore nga dronët rusë në vende të ndryshme evropiane.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, theksoi se Ukraina është eksperti kryesor në luftën kundër dronëve dhe i këshilloi vendet evropiane të përfitojnë nga përvojat dhe teknologjitë ukrainase.
Ndërkaq, kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, tha se vendet evropiane po nxjerrin mësime të vështira nga përvoja ukrainase dhe duhet të përmirësojnë kapacitetet e tyre të zbulimit dhe bashkëpunimin mes policisë dhe ushtrisë.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi Ukrainën si një “fuqi të madhe” në teknologjinë kundër dronëve dhe njoftoi se njohuritë po ndahen me Danimarkën, Poloninë dhe aleatët e NATO-s.
Pak para samitit, Rusia kreu sulme me raketa në Odesa, duke goditur një depo hekurudhore, ndërsa në rajone të tjera të Ukrainës raportohen sulme me raketa dhe dronë.
Në vijim, Zelensky njoftoi edhe një shkëmbim të ri të të burgosurve, me 185 ushtarë ukrainas të liruar nga Rusia, si dhe 20 civilë që po kthehen në shtëpi.
Samiti dhe këto zhvillime vijnë në një kohë kur perspektiva për paqe në Ukrainë mbetet e paqartë dhe tensionet vazhdojnë të jenë të larta.