Vendosni fjalën kyçe....

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs, në një takim zyrtar në Tiranë



Sot në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një takim zyrtar me presidentin e Letonisë, z. Edgars Rinkēvičs, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si integrimi europian, siguria rajonale dhe shkëmbimi i përvojave parlamentare.

Një vend të veçantë në biseda zuri bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, ku prania e trupave shqiptare në Letoni dhe angazhimi i trupave letoneze në misionin e KFOR-it në Kosovë dëshmojnë solidaritetin dhe mbështetjen e ndërsjellë mes dy aleatëve.

Kryetari Peleshi falënderoi Letoninë për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ndërsa Presidenti Rinkēvičs theksoi rëndësinë e Shqipërisë si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe shprehu gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, arsimor dhe kulturor.

Ky takim riafirmoi vullnetin e përbashkët për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe partneritetin euroatlantik mes Shqipërisë dhe Letonisë.