Vendosni fjalën kyçe....

Apeli i ul 5 vite burg Francesco Becchetti-t, biznesmeni italian i ka bllokuar Albcontrolit 135 milionë euro


Gjykata e Apelit i ka ulur dënimin me 5 vitebniznesmenit italian Francesco Becchetti. Si përfundim ai është dënuar me 12 vite burg.

Francesco Becchetti është shpallur fajtor për krijimin e një skeme mashtrimi me TVSH dhe pastrim parash. Ai u akuzua për 4 vepra penale; “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

I akuzuari tjetër në proces, Mouro de Renzis u dënua përfundimisht me 12 vite burg, nga 16 vjet burg që e dënoi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.

Ish-pronari I Agon Channel Becchetti u shpall fajtor për “falsifikim të dokumenteve”, “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “krijimi i skemave mashtruese” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale”. Bashkimi i të gjitha akuzave në një të vetëm, solli uljen e dënimit me 4 vite.

Ndërsa në fuqi u la dënimi për Eriona Troplinin dhe Liliana Condimitti, të dënuara me nga 8 vite burg secila.

Biznesmeni italian vazhdon të jetë në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar duke qenë se kërkohet nga drejtësia shqiptare.

Aktualisht Becchetti përmes një vendimi nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka bllokuar në Eurocontrol llogaritë e kompanisë që menaxhon trafikun ajror Albcontrol.

Shuma që Albcontrol nuk arrin të arkëtojë po rritet vit pas viti. Nga 607 milionë lekë që ishte ky zë në dhjetor 2020, arriti në 2.9 miliardë lekë në 2021, u rrit në 6.7 miliardë lekë në vitin 2022 për të arritur në 10.5 miliardë lekë në 2023,  dhe 13.5 miliardë lekë në 2024-n.

Zanafilla e përplasjes mes shtetit dhe investitorit nisi në qershor të 2015-ës,  kur u bllokuan asetet e Francesco Becchetti-t.

Bllokimi i këtyre aseteve çoi edhe në mbylljen e televizionit Agon Channel, element që u përdor nga Beccheti për të çuar çështjen në Arbitrazh.

Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Becchetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 110 milionë eurosh në vitin 2020.

Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Becchetti ku u regjistrua një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë.

Por në prill 2023, Becchetti fiton përfundimisht Arbitrazhin me qeverinë shqiptare.

Ky i fundit, pasi ftoi gjyqin me qeverinë shqiptare për një shumë prej 110 milionë eurosh, po synon mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e Albcontrol në Eurocontrol në Bruksel, e cila ka ngrirë që prej vitit 2021.

Në total, Qeveria shqiptare përballet me një faturë prej gati 180 milionë eurosh nga çështjet e humbura dhe ato në proces në arbitrazh ndërkombëtar, me biznese të ndryshme, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave për fundin e vitit 2024. Rreth 60% e kësaj shumë është vetëm detyrimi për çështjen “Becchetti”.

Financat ende e njohin këtë shumë, që i detyrohen investitorit italian si detyrim kontingjent, ku përfshihen detyrime të mundshme financiare që mund t’i ngarkohen shtetit shqiptar si rezultat i çështjeve të hapura në gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar, në rast se vendimi jepet në favor të palës paditëse kundër shtetit.