Vendosni fjalën kyçe....

Gjekmarkaj: E keni shndërruar Kuvendin në një sallë lajmërimesh


Deputetët e opozitës, Agron Gjekmarkaj dhe Ina Zhupa, kritikuan sot kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për mungesën e debateve politike dhe bllokimin e diskutimeve mbi integrimin e Shqipërisë në BE.

Gjekmarkaj ironizoi duke thënë se parlamenti është kthyer në “sallë lajmërimesh” dhe akuzoi Peleshin se i mohon deputetëve të drejtën e fjalës

Ju mbase nuk e dini por njerëzimi ka konsumuar mijëra vjet për të bërë kalimin nga tingulli tek fjala dhe fjala bëri ndryshimin e madh tek njeri i andertalit, qesh Ulsi se nuk e di, i duket habi po nejse! Në mesjetë dënimi më i madh ishte kur gjuhën ja vendosnin në tryezë dhe e mberthenin me gozhdë. Sepse fjala prishte shumë punë!

Ka një muaj që mblidhemi këtu e vendosim sesi të mos bëjmë parlament, se si të mos flasim! E keni shndërruar Kuvendin në një sallë lajmërimesh, si kasnec!

Flasim vetëm për procesverbale e njoftime asnjë debat! Ju keni frikë nga fjala!

Tani ju keni shpall këtë moton “Shqipëria 2030 në Europë”! Bukur shumë, përballë ka disa kalorës të rrugëtimit Europin!

Ju nuk po u jepni mundësi të rrëfejnë cilin zabel kaloi Taulanti, a patën tagji kuajt e Ulsiut, në cilin ha fjeti Toni rrugës për në Europë! Pra kalorësit po udhëtojnë nëpër natë!

Ju po u mohoni të drejtën e rrëfimit!

Ju vetë si kryetar nuk po kaloni një ditë në atë karrige duke drejtuar debat politik!

Por drama më e madhe e juaj do të jetë se do harroni të flisni. Kur të ktheheni tek njerëzit do jeni si njerëzit e lashtë, do ktheheni tek tingulli! Qesh Ulsiu i duket qyfyre!

Do harroni si mijëra vjet më parë që tingullin ta përktheni në fjalë”, tha Gjekmarkaj.

Ndërsa Zhupa kërkoi hapjen e debatit për integrimin në BE, duke theksuar se propaganda e qeverisë nuk mund të zëvendësojë diskutimin real parlamentar.

“Unë nuk arrij dot ta kuptoj se keni ngritur një propagandë për integrimin, sot ju bllokoni debatin. E pakuptueshme!

Po ju ftojmë të flasim për integrimin, pikërisht për prioritetin tuaj. Mos u fshihni pas argumenteve bosh. Unë e kuptoj se kur lexoni krim dhe korrupsion ju kap paniku se do duhet të mbroni veten dhe kryeministrin”, tha Zhupa.