Vendosni fjalën kyçe....

Maduro gati të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në rast të një sulmi amerikan ndaj Venezuelës


Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, është i gatshëm të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme nëse SHBA ndërmerr një sulm ushtarak ndaj vendit, paralajmëroi zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez, duke folur për pasoja “katastrofike” nëse një ofensivë e tillë ndodh, përcjell Guardian.

Administrata e Donald Trump ka rritur presionin mbi Karakasin javët e fundit, duke dërguar një flotë të madhe detare në Detin e Karaibeve dhe duke kryer sulme ajrore mbi anije venezueliane, ku janë vrarë të paktën 17 persona. Uashingtoni pretendon se operacionet synojnë kartelët e drogës në Amerikën Latine, por Karakasi i quan këto një justifikim për një ndërhyrje më të gjerë me synim rrëzimin e Maduros pas 12 vitesh pushtet.

Rodríguez i cilësoi pretendimet për luftë kundër trafikut të drogës si “gënjeshtër të madhe”, duke akuzuar SHBA se kërkon të vërë dorë mbi rezervat e naftës, gazit, arit dhe mineraleve të Venezuelës. Ajo deklaroi se, në rast aktivizimi, gjendja e jashtëzakonshme do t’i jepte Maduro-s fuqi speciale për të mobilizuar ushtrinë, për të mbyllur kufijtë dhe për të vendosur forcat e armatosura në kontroll të infrastrukturës kryesore.

“Ne kurrë nuk do të dorëzojmë atdheun tonë – kurrë!”, tha Rodríguez, duke paralajmëruar se qytetarët venezuelianë që mbështesin publikisht një pushtim nuk mund të quhen më venezuelianë.