
Ushtria e Danimarkës konfirmoi të dielën se janë detektuar sërish dronë të paidentifikuar mbi disa objekte ushtarake gjatë natës, në një incident që shënon ditën e dytë radhazi me shfaqje të tilla në hapësirën ajrore të vendit, përcjell REL.
“Forcat e Armatosura mund të konfirmojnë se janë parë dronë mbi disa lokacione të ushtrisë gjatë natës. Kemi dislokuar disa kapacitete,” thuhet në njoftimin zyrtar të ushtrisë, e cila nuk ka dhënë më shumë detaje mbi lokacionet e sakta apo masat e ndërmarra si përgjigje.
Sipas mediave daneze, asnjë aeroport nuk është mbyllur gjatë natës, ndryshe nga ditët e mëparshme kur incidente të ngjashme çuan në pezullimin e fluturimeve në disa zona të vendit.
Shfaqja e dronëve mbi Danimarkë dhe Norvegji ka nisur që më 22 shtator dhe ka alarmuar autoritetet, sidomos për shkak të afërsisë së këtyre objekteve me instalime ushtarake. Danimarka ka lënë të kuptohet se pas këtyre fluturimeve mund të fshihet Rusia, megjithëse nuk janë ofruar prova konkrete deri tani.
Një ditë më parë, ushtria raportoi për praninë e dronëve mbi disa objekte ushtarake, përfshirë bazën ajrore Karup – më e madhja në vend, ku ndodhen të gjithë helikopterët ushtarakë dhe pajisje për vëzhgim.
Ndërkohë, Policia konfirmoi se të premten në mbrëmje janë parë “një deri në dy dronë” mbi ose pranë bazës Karup.
Në përgjigje të situatës, NATO ka njoftuar se ka rritur vigjilencën në rajonin e Baltikut, përfshirë vendosjen e platformave të mbikëqyrjes dhe të paktën një fregate kundërajrore.
Incidentet ndodhin pak ditë përpara mbajtjes së samitit të Bashkimit Evropian në Kopenhagë, ku pritet të mblidhen krerët e qeverive të vendeve anëtare.