
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për Klan Kosova, ka folur për situatën aktuale politike në Kosovë, për rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian, si dhe për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Rama u shpreh se integrimi i Kosovës në Bashkimin Europian është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit, duke theksuar se ky proces nuk duhet të kushtëzohet nga qëndrimet apo veprimet e Serbisë.
“Që të fitojë paqen, Kosova duhet të sistemohet në tryezën e bashkësisë demokratike. Nuk duhet të shohë fare nga Beogradi. Duhet të bëjë detyrat e veta për veten dhe të ardhmen e saj, jo për Serbinë”, u shpreh Rama, duke iu drejtuar edhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Ai theksoi se Kosova duhet të përmbushë të gjitha pikat e dialogut me Bashkimin Evropian dhe SHBA-të, edhe nëse Serbia nuk e bën të njëjtën gjë:
“Nëse Kosova i përmbush obligimet dhe Serbia jo, atëherë ka më shumë të drejtë t’u thotë të gjithëve: ‘Shkoni merruni me Serbinë, unë dua rrugën time’.”
Ndërsa komentoi për Gjykatën Speciale në Hagë, ku ndodhen në paraburgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – Rama tha se kjo gjykatë u krijua mbi një raport të pabazuar të politikanit zviceran Dick Marty.
“Krijimi i Gjykatës është nxitur nga raporti i famëkeq i Dick Martyt. Në të gjithë zhvillimin e procesit nuk ka asnjë provë për trafik organesh, por insinuata dhe dëshmitarë qesharakë që duken si aktorë të epokës së Millosheviçit”, theksoi ai.