Presidenti amerikan Trump ka urdhëruar vendosjen e trupave amerikane në Portland, Oregon, duke autorizuar përdorimin e “forcës së plotë” nëse është e nevojshme, shkruan BBC.
Trump tha se po “udhëzon Sekretarin e Luftës, Pete Hegseth, të sigurojë të gjitha trupat e nevojshme për të mbrojtur Portlandin e shkatërruar nga lufta”.
Ai pretendoi se ky veprim do ndihmonte në mbrojtjen e “objekteve tona të ICE-së që janë nën rrethim nga sulmet e Antifas dhe terroristëve të tjerë vendas”, duke shtuar në Truth Social: “Unë gjithashtu po autorizoj Forcën e Plotë, nëse është e nevojshme”.
Njoftimi shkaktoi reagime nga ligjvënësit demokratë, të cilët thanë se nuk kishte nevojë që trupat federale të vendoseshin në qytet.
“Nuk ka kërcënim për sigurinë kombëtare në Portland. Komunitetet tona janë të sigurta dhe të qeta”, tha guvernatorja e Oregonit, Tina Kotek, në një deklaratë, duke shtuar se i ka kërkuar administratës Trump informacion të mëtejshëm.
Kryebashkiaku i Portlandit, Keith ëilson, tha në një deklaratë se “numri i trupave të nevojshme është zero, në Portland dhe në çdo qytet tjetër amerikan”.
Postimi i Trump nuk specifikon nëse ai synon të aktivizojë Gardën Kombëtare apo ushtrinë e rregullt amerikane. Postimi gjithashtu nuk specifikoi se çfarë nënkuptohet me përdorimin e “forcës së plotë”.
