Vendosni fjalën kyçe....

Dita Botërore e Turizmit/ Ina Zhupa thirrje qeverisë: Investoni në turizëm të qëndrueshëm, prioritet mbrojtja e mjedisit dhe trashëgimia


Në Ditën Botërore të Turizmit, kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa, bëri një apel të fortë për investime në turizmin e qëndrueshëm në Shqipëri, duke vënë theksin tek nevoja për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore.

Zhupa theksoi potencialin e jashtëzakonshëm që ka Shqipëria si destinacion turistik, por paralajmëroi se zhvillimi i sektorit mbetet i papërfillshëm për shkak të mungesës së infrastrukturës, ndërtimeve pa kriter dhe mungesës së standardeve në ofrimin e shërbimeve turistike.

“Vilat individuale dhe komplekset strategjike nuk mund të quhen investim për turizmin”, u shpreh ajo, duke shtuar se mungesa e ujit të pijshëm 24 orë, rendi, siguria dhe plazhet e certifikuara “Blue Flag” janë sfida kryesore që po pengojnë zhvillimin e turizmit në vend.

Kryetarja e Komisionit apeloi që qeveria të fokusohet në ofrimin e trajnimeve dhe mbështetjes për fuqinë punëtore, si dhe në ndërtimin e projekteve zhvillimore që ruajnë balancën mes rritjes ekonomike dhe mbrojtjes së burimeve natyrore.

“Si kryetare e Komisionit të Kulturës dhe Turizmit, mbetem e angazhuar për të bashkëpunuar me të gjitha palët për të krijuar një model turizmi që sjell të ardhura, vende pune dhe krenari për vendin tonë,” deklaroi Zhupa.

 

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

Në Ditën Botërore të Turizmit vlen të kujtojmë që Shqipëria, me natyrën e saj të mrekullueshme, trashëgiminë kulturore unike dhe mikpritjen që e karakterizon, ka potencialin për t’u shndërruar në një destinacion të qëndrueshëm dhe cilësor në hartën ndërkombëtare të turizmit.

Por të gjithë e dimë që vilat individuale dhe komplekset strategjike nuk mund të quhen investim për turizmin.

Akoma në Shqipëri nuk punohet për të zhvilluar maksimalisht këtë sektor. Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme në disa zona turistike, ndërtimet pa kriter që dëmtojnë natyrën dhe identitetin kulturor, mungesa e standardeve në ofrimin e shërbimeve, mungesa e mbështetjes së qëndrueshme për operatorët lokalë. Shteti që nuk garanton gjërat bazike si uji i pijshëm 24 orë, rend dhe siguri, plazhe të certifikuara blue flag, dhe këto janë plaga më serioze kundër turizmit.

Qeveria duhet të investojë në turizëm të qëndrueshëm, të vendosë prioritet mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, të ofrojë trajnime dhe mbështetje për fuqinë punëtore në këtë sektor, dhe të sigurojë që çdo projekt zhvillimi të ndërtohet mbi parimin e balancës mes rritjes ekonomike dhe ruajtjes së burimeve tona natyrore.

Si Kryetare e Komisionit të Kulturës dhe Turizmit, mbetem e angazhuar që të bashkëpunoj me të gjitha palët për të ndërtuar një model turizmi që sjell të ardhura, vende pune, por edhe krenari për vendin tonë.