Vendosni fjalën kyçe....

Bota po përballet me rritje të madhe të vdekjeve nga kanceri


Numri vjetor i vdekjeve nga kanceri në nivel global parashikohet të rritet me gati 75% deri në vitin 2050, duke arritur në 18.6 milionë, kryesisht për shkak të rritjes së popullsisë dhe plakjes, sipas një studimi të botuar në The Lancet të enjten.

Më shumë se gjysma e rasteve të reja të kancerit dhe dy të tretat e vdekjeve do ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, parashikoi përditësimi i fundit I studimit mbi kancerin.

“Kanceri mbetet një ndikues i rëndësishëm në barrën e sëmundjeve në nivel global dhe studimi ynë thekson se si parashikohet të rritet ndjeshëm gjatë dekadave të ardhshme, me një rritje joproporcionale në vendet me burime të kufizuara”, tha autorja kryesore Dr. Lisa Force e Institutit për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në Universitetin e Uashingtonit.

IHME, me seli në Seattle, drejton hulumtimin e vazhdueshëm, i cili mbështetet në të dhëna nga regjistrat e kancerit që datojnë që nga viti 1990. Midis viteve 1990 dhe 2023, rastet e reja vjetore të kancerit u dyfishuan në 18.5 milionë në të gjithë botën, dhe tendenca në rritje pritet të vijojë, shkruan Rt.

Përdorimi i duhanit, veçanërisht tek burrat, mbetet shkaku kryesor i vdekshmërisë nga kanceri, përgjegjës për rreth 21% të të gjitha vdekjeve nga kanceri në vitin 2023. Në shumicën e vendeve, ishte faktori kryesor i rrezikut, përveç në vendet me të ardhura të ulëta ku seksi i pasigurt, që çon në infeksione nga papillomavirusi njerëzor (HPV), renditej i pari.

Rreziqe të tjera të mëdha për burrat përfshinin konsumin e alkoolit, dietat e pashëndetshme, ekspozimet në punë dhe ndotjen e ajrit. Ndër gratë, obeziteti dhe sheqeri i lartë në gjak ishin kontribues të rëndësishëm.

Bashkautori Dr. Theo Vos tha se fakti që kaq shumë vdekje nga kanceri rrjedhin nga faktorë rreziku të modifikueshëm paraqet “mundësi të jashtëzakonshme” për parandalim duke synuar sjellje të tilla si pirja e duhanit, dieta e dobët dhe praktikat seksuale të pasigurta.