Britania, Kanadaja dhe Australia njohën të dielën një shtet palestinez, në një veprim të lindur nga zemërimi për luftën në Gaza dhe që synonte të promovonte një zgjidhje me dy shtete, por që gjithashtu pritet të zemërojë Izraelin dhe aleatin e tij kryesor, Shtetet e Bashkuara.
I menjëhershëm ishte reagimi zyrtar i Izraelit i cili e quajti këtë një shpërblim për Hamasin, shkruan Reuters.
Nga ana e saj, Ministria e Jashtme e Izraelit tha në përgjigje: “Njohja nuk është gjë tjetër veçse një shpërblim për Hamasin. Vetë udhëheqësit e Hamasit e pranojnë hapur: kjo njohje është një rezultat i drejtpërdrejtë, ‘fryti’ i masakrës së 7 tetorit. Mos lejoni që ideologjia xhihadiste të diktojë politikën tuaj.”
Vendimi i tre kombeve i bashkoi ato me rreth 140 vende të tjera të cilat gjithashtu mbështesin aspiratën e palestinezëve për të krijuar një atdhe të pavarur nga territoret e pushtuara nga Izraeli.
Vendimi i Britanisë kishte një peshë të veçantë simbolike duke pasur parasysh rolin e saj të madh në krijimin e Izraelit si një komb modern pas Luftës së Dytë Botërore.
“Sot, për të ringjallur shpresën për paqe për palestinezët dhe izraelitët, dhe një zgjidhje me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës”, tha kryeministri Keir Starmer në X.
Kombe të tjera, përfshirë Francën, pritet të ndjekin shembullin këtë javë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
