Vendosni fjalën kyçe....

Trump dhe Xi do të takohen në Korenë e Jugut pas miratimit të marrëveshjes për TikTok


Presidenti i SHBA, Donald Trump, njoftoi se do të takohet me kryeministrin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut muajin e ardhshëm, pas një telefonate në të cilën lideri kinez miratoi gjithashtu marrëveshjen për kontrollin e operacioneve të TikTok në SHBA.

Trump shkroi në platformën Truth Social se biseda ishte “produktive” dhe miratimi i marrëveshjes ishte “i vlerësuar”, duke shtuar se pas këtij takimi do të udhëtojë në Kinë, ndërsa Xi do të vizitojë më pas SHBA-në, përcjell BBC.

Marrëveshja parashikon që disa kompani amerikane, përfshirë sipas raporteve Oracle, të menaxhojnë operacionet e TikTok në SHBA, duke përdorur teknologjinë e algoritmeve të licencuar nga ByteDance.

Zëdhënës të qeverisë kineze theksuan se Kina pret që kompanitë të kryejnë negociata tregtare “në bazë të rregullave të tregut dhe në përputhje me ligjet kineze dhe një ekuilibër interesi”.

Ata gjithashtu kërkuan një “mjedis biznesi të hapur, të drejtë dhe jo diskriminues” për investimet kineze në SHBA.

Trump theksoi se TikTok ka “vlerë të jashtëzakonshme” për SHBA dhe se investitorët amerikanë do të bëjnë një punë të shkëlqyer në administrimin e platformës, duke vepruar “në bashkëpunim me Kinën”.

Megjithatë, disa ligjvënës amerikanë, përfshirë edhe republikanë nga radhët e Trump, shprehën shqetësime mbi lidhjet e TikTok me Partinë Komuniste Kineze dhe ndikimin e mundshëm që algoritmet mund të ushtrojnë.

TikTok ishte i kërcënuar më parë me bllokim në SHBA, por vendimi u shty disa herë gjatë këtij viti, ndërsa platforma mbetet pjesë kyçe e fushatës elektorale të Trump për vitin 2024.

Telefonata mes Trump dhe Xi ishte e dyta këtë vit, pas bisedës së qershorit mbi eksportin e mineraleve të rralla, që rezultoi me miratimin e disa lejeve për kompanitë amerikane. Çështjet e tjera, si kufizimet teknologjike dhe blerjet bujqësore kineze në SHBA, mbeten të pazgjidhura.