
Deputeti i PD-së Klevis Balliu tha mbrëmjen e sotme se vendi drejtohet nga dikush që nuk mund ta quash qeveri.
Sipas demokratit, në vend është shkallmuar Kushtetuta ndërsa u ndal te fjala e robotit Diella në seancën e sotme, që sipas tij është fyerje për qytetarët dhe opozitën.
“Kemi kohë që drejtohemi nga dikush që nuk mund ta quash më qeveri. Po nënvlerësojmë ngjarje të mëdha. Shkallmimi i Kushtetutës nuk kalon lehtë. Në çdo vend tjetër të botës do të kishte reagime të jashtëzakonshme. Fakti që opozitës nuk iu lejua fjala, ndërsa në vend të Kryeministrit flet një robot që thotë ‘u ndjeva e lënduar’, është çmenduri. Që kur kanë ndjenja robotët? Ne nuk jemi pupacë,” tha Balliu.
Deputeti demokrat theksoi shqetësimin për mungesën e përmbajtjes në programin e ri qeverisës, duke theksuar se ai nuk përmban asgjë për jetën reale të qytetarëve.
“Në atë program nuk ka asgjë për qytetarët. Rama kërkon errësirë totale në Kuvend. Ky është i vetmi parlament që zyrtarisht kërkon kufizimin e mediave. Ne si opozitë kemi vetëm fjalën në dorë. Qytetarët pyesin çfarë do bëhet me jetët e tyre. Tani po na dalin edhe me gjini të reja…Allahu na ruajtë.” – shtoi Balloi në emisionin “Log”.