Vendosni fjalën kyçe....

Klubi gjerman do kontrollojë postimet e lojtarit në Instagram pasi shprehu keqardhje për vrasjen e Charlie Kirk


Gjiganti gjerman i futbollit Borussia Dortmund do shqyrtojë postimet në mediat sociale të mesfushorit të saj Felix Nmecha, pasi ai shkaktoi trazira në internet duke shprehur keqardhjen e tij për vrasjen e aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk, kanë raportuar disa media lokale.

Të premten, Nmecha postoi një foto bardh e zi të Kirk në historitë e tij në Instagram me një mbishkrim: “U prehtë në paqe me Zotin”. Postimi thuhet se shkaktoi reagime kryesisht negative në mediat sociale.

Futbollisti më pas ndryshoi mbishkrimin, duke u përqendruar te familja e Kirkut.

“Të festosh vrasjen e një burri dhe babai të dy fëmijëve, një burri që mbrojti në mënyrë paqësore besimet dhe vlerat e tij, është vërtet e keqe dhe tregon se sa shumë kemi nevojë për Jezu Krishtin”, shkroi Nmecha në një postim pasues.

Ai gjithashtu iu përgjigj kritikave në internet duke thënë se “është njerëzore të shprehësh ngushëllime dhe se nuk duhet të dënohet për këtë”. Futbollisti deklaroi gjithashtu se nuk pajtohej me Kirk-un për “disa çështje”, por “qëndrimet e ndryshme politike janë krejtësisht në rregull”. Përfundimisht, Nmecha fshiu të gjitha postimet e tij, shkruan RT.

Portali gjerman i lajmeve sportive SID raportoi të premten se klubi do shqyrtonte postimet dhe do kërkonte një dialog me lojtarin, duke shtuar se nuk ishte planifikuar asnjë ndëshkim për të.

Megjithatë, tabloidi gjerman Bild vuri në dukje po atë ditë se kontrata e Nmecha-s ka një “klauzolë në Instagram” e cila thotë se ai mund të përballet me miliona dollarë gjoba për postimet në mediat sociale që shkelin vlerat e klubit.

Incidenti tërhoqi vëmendjen e miliarderit me bazë në SHBA, Elon Musk, i cili ripostoi një thirrje që përfaqësuesve të Borussia-s t’u ndalohet të udhëtojnë në SHBA për Kupën e Botës FIFA 2026 nëse ata “vijojnë të persekutojnë” Nmecha-n.

Kirk, 31 vjeç, u vra ndërsa po u drejtohej studentëve në një kolegj në Orem, Utah, të mërkurën. Shumë njerëz e brohoritën hapur vrasjen e tij në internet. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u zotua të ndjekë jo vetëm vrasësin e Kirk, por edhe atë që ai e quajti rrjete “të majta radikale” që nxisin dhunën politike.