Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Kolegji i Evropës: Shqipëria nuk është më “papafingoja” e kontinentit



Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në Kolegjin e Evropës në Bruzh pas takimit që zhvilloi më herët në Bruksel me Komisioneren e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ku diskutuan për hapjen e katër kapitujve të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të ndjeshme drejt integrimit evropian, duke e krahasuar rrugëtimin e vendit nga izolimi komunist në një vend të hapur dhe tërheqës për turistët.

“Shqipëria dikur ishte papafingoja e kontinentit, sot është më afër Evropës se kurrë më parë. Hapja e kapitujve të negociatave është një dëshmi e këtij progresi,” deklaroi Rama.

Ai vuri në dukje se vendi ka ndërmarrë reforma të thella në drejtësi, ka modernizuar transportin dhe ekonominë dixhitale, ndërsa sot është një nga destinacionet më të vizituara në rajon, me mbi 12 milionë turistë në vit.

Kreu i qeverisë theksoi se procesi i integrimit nuk është thjesht “zgjerim”, por një bashkim thelbësor për sigurinë dhe të ardhmen e përbashkët evropiane.

“Ballkani nuk është periferia, por pjesë e pandashme e Evropës. Jemi si fetusi në barkun e nënës, dhe integrimi është një lindje e natyrshme, jo një zgjerim artificial,” u shpreh Rama me tone simbolike.

Ai shtoi se Shqipëria është më e përgatitur se kurrë për të qenë pjesë e BE-së dhe u bëri thirrje liderëve evropianë që të dëgjojnë zërin e vendeve që janë jashtë, por që ndajnë të njëjtat vlera.

“Lajmi i mirë është që Shqipëria është gati. Tani Evropa duhet ta dëgjojë thirrjen e saj,” përfundoi Rama.