
Një sasi e vogël lënde plasëse e vendosur brenda në një qese është konstatuar mbrëmjen e sotme nga banorët e lagjes nr.1, pranë murit rrethues të kalasë së Durrësit, afër një godine që më parë funksiononte si hotel, por që tashmë është e braktisur.
Menjëherë pasi është njoftuar për qesen e dyshimtë, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka rrethuar zonën dhe ka bërë evakuimin e banorëve aty pranë.
Po ashtu, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë edhe forcat xheniere të cilat kanë asgjësuar lëndën plasëse me shpërthim të kontrolluar.
Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar shpërthimi dhe as dëme materiale në zonën përreth, pasi bëhet fjalë për një zonë të populluar.
Hoteli ka qenë përdorur më parë nga forcat e Guardia di Finanza kur ishin me mision në Durrës.