Vendosni fjalën kyçe....

E veja e Charlie Kirk: Zëri i tij do të jetë më i madh se kurrë


E veja e aktivistit konservator Charlie Kirk, Erika Kirk, ka bërë një deklaratë të fuqishme të premten mbrëma, duke thënë se misioni i të shoqit do të vazhdojë më i fortë se kurrë, pas vrasjes së tij gjatë një aktiviteti në Utah.

“Bëritmat e mia do të jehonë në botë si një thirrje lufte,” tha ajo, duke shtuar se mesazhi i Kirk do të bëhet “më i fortë, më i guximshëm, më i zëshëm dhe më i madh se kurrë.”

Charlie Kirk, bashkëthemelues i organizatës së të rinjve konservatorë Turning Point USA, u qëllua për vdekje të mërkurën në një aktivitet në Universitetin e Luginës së Utah-ut (UVU), gjatë turit të parë të organizatës në kampuse për këtë vjeshtë.

Pavarësisht tragjedisë, Erika Kirk tha se turi do të vazhdojë.

Ajo u shpreh se i shoqi u vra sepse predikonte “një mesazh patriotizmi, besimi dhe dashurie mëshire nga Zoti.”

“Ata që janë përgjegjës për vrasjen e burrit tim nuk e kanë idenë çfarë kanë bërë. Nëse mendonin se misioni i tij ishte i fuqishëm më parë, ata nuk kanë idenë se çfarë kanë shpërthyer tani në gjithë vendin dhe botën,” tha ajo.

Në adresimin e saj, të cilin Turning Point USA e përshkroi si një “mesazh për kombin”, Erika Kirk falënderoi organet e rendit për arrestimin e të dyshuarit Tyler Robinson, 22 vjeç, i cili pritet të dalë në gjyq të martën, përcjell The Guardian.

Ajo falënderoi gjithashtu senatorin JD Vance dhe Donald Trump, duke thënë: “Zoti President, burri im ju donte dhe e dinte që edhe ju e donit atë. Miqësia juaj ishte e jashtëzakonshme.”

Erika Kirk foli gjatë për vlerat e krishtera të të shoqit, duke theksuar se ai do të kishte punuar për të “ringjallur familjen amerikane” dhe se betejat e tij ishin “mbi të gjitha shpirtërore.”

“Lufta shpirtërore është e prekshme,” theksoi ajo, duke u bërë thirrje të rinjve të vazhdojnë kauzën e Kirk duke u angazhuar në Turning Point USA: “Ai donte që ju të bënit ndryshimin dhe ju mundeni. Lëvizja nuk po shkon askund – ajo vetëm do të bëhet më e fortë.”

Vrasja e Kirk, një aleat i ngushtë i Donald Trump, ka rikthyer vëmendjen te rritja e dhunës politike në SHBA, ndërsa liderë nga të dyja palët politike kanë dënuar atentatin.

Megjithatë, presidenti Trump, në një intervistë për Fox & Friends, shmangu thirrjet për unitet, duke deklaruar: “Nuk më intereson aspak”, kur u pyet si synonte të bashkonte vendin pas vrasjes së Kirk. Ai shtoi se “radikalët e majtë janë problemi – të egër, të tmerrshëm dhe politikisht dinakë.”