
Gjykata e Shkallës së Parë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm Berat ka dhënë masat e sigurisë për tre të arrestuarit në kuadër të operacionit “Again”, që lidhet me eksportin e domateve të kontaminuara me pesticide.
Eksportuesi i perimeve Mariglen Qorri, 40 vjeç, do të qëndrojë në arrest me burg, ndërsa dy inspektorët e AKU-së, Griselda Doksani dhe Ronaldo Lika, do të vuajnë masën e arrestit në shtëpi.
Qorri, pronar i kompanisë së eksportit “Era-Fruit”, akuzohet për “Importim, prodhim, shitje dhe ruajtje të ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrim me produktet ushqimore” dhe “Falsifikim dokumentesh”. Sipas prokurorisë, ai kishte eksportuar në Kroaci 8 tonë domate, të cilat pas analizave rezultuan me nivele të larta të pesticidit Chlorefenapyr dhe u asgjësuan nga autoritetet kroate.
Për të shmangur përgjegjësinë, Qorri kishte përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë.
Ndërkohë, dy punonjësit e AKU-së akuzohen për “Shpërdorim detyre”, pasi sipas hetimeve kishin plotësuar në mënyrë fiktive procesverbalet gjatë kontrollit në këtë subjekt.
Vendimi u dha mesditën e sotme nga gjyqtarja Ardiola Çela, e cila pasi dëgjoi palët, vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e tre të dyshuarve.