Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: PD nuk duhet të njohë farsën elektorale, por as të braktisë Parlamentin


Partia Demokratike zhvilloi sot mbledhjen e parë të Kryesisë pas zgjedhjeve të 11 majit, të cilat kreu i saj, Sali Berisha, i cilësoi si “farsa më e shëmtuar zgjedhore në 32 vitet e fundit”.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se PD-ja nuk duhet të njohë rezultatin e zgjedhjeve, duke paralajmëruar se një veprim i tillë do ta bënte forcën kryesore të opozitës “bashkëautore në një mashtrim kombëtar”.

“Unë ftoj Kryesinë që të mos njohim këto zgjedhje. Njohja e tyre do të na bënte bashkëautore në farsën më të shëmtuar të këtyre 32 viteve,” tha Berisha.

Megjithatë, kreu demokrat shtoi se opozita nuk duhet të tërhiqet nga institucionet, duke nënvizuar se braktisja e Parlamentit do të linte hapësirë të lirë për qeverinë e Edi Ramës, të cilën ai e cilësoi si “diktaturë të konsoliduar”.

“Në këtë diktaturë, ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë bosh. Kërkohet qëndrim, kërkohet strategji për të ndryshuar raportin tonë me regjimin që ka uzurpuar çdo pushtet,” u shpreh ai.

Berisha pranoi se asnjë nga strukturat e PD-së nuk ka bërë mjaftueshëm përballë qeverisë aktuale, duke bërë thirrje për një ndryshim të thellë dhe një “ribrand” të partisë.

“Asnjë nga ne nuk ka bërë sa kemi mundur. Tani kërkohet një ribrand, një ndryshim. Beteja jonë kërkon energji të reja, forca të reja dhe forma të reja,” përfundoi Berisha.