Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: McGonigal i dërgoi foto nga takimi me Ramën – “Ka shumë mundësi për të bërë lekë”



Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, gjatë një interviste në emisionin “Log.”, është ndalur tek çështja “McGonigal”, duke hedhur akuza të forta në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe duke zbardhur disa detaje të reja që sipas tij vijnë nga hetimet që po zhvillohen në SHBA.

Sipas Këlliçit, në dosjen hetimore të autoriteteve amerikane rezulton se ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal, gjatë një takimi me kryeministrin Rama në Tiranë, i ka dërguar një foto një kolegu të tij, duke i shkruar:

“Jam me këtë mikun që po reformon drejtësinë dhe këtu dukshëm ka shumë mundësi për ne dhe përherë unë po mendoj për të ardhmen. Përbënte interesa madhore për të bërë lekë.”

Këlliçi përmendi gjithashtu se hetimet ndaj McGonigal janë intensifikuar në 6 muajt e fundit nga administrata e ish-presidentit Donald Trump dhe se ka dalë në dritë një skandal i ri me përfshirje kineze, ku janë përmendur edhe dy ish-këshilltarë të një presidenti amerikan.

Duke iu referuar vizitës së kreut të SPAK, Altin Dumani, në SHBA, Këlliçi ngriti pikëpyetje nëse vizita kishte lidhje me këtë çështje, dhe tha se tashmë SPAK, që sipas tij ka qenë nën ndikimin e fondacioneve të lidhura me George Soros, nuk është më në atë tutelë.

“SPAK sot nuk merr më urdhër as nga Soros dhe as nga i jati. Partnerët e tij janë një administratë krejt ndryshe. Nëse duan të bëjnë detyrën, le të hetojnë lidhjet e kryeministrit me McGonigal,” – deklaroi Këlliçi.

Deputeti demokrat theksoi gjithashtu një deklaratë të ish-presidentit amerikan më 27 janar 2023, ditën kur McGonigal u dënua për skandalin me lidhje ruse, ku sipas Këlliçit, Trump kishte thënë se “uron ta shohë të digjet në ferr”.

Këlliçi kërkoi hetim të plotë për lidhjet e përmendura në dosje, duke përfshirë korrupsionin me 220 mijë dollarë nga persona pranë kryeministrit shqiptar dhe ndikimin në reformën në drejtësi.