Vendosni fjalën kyçe....

Begaj dekreton datën, Parlamenti i ri mblidhet më 12 shtator


Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën e mbledhjes së Parlamentit të ri të Legjislaturës së XI.

Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të mblidhet të premten, më 12 shtator, ora 10:00.

Në këto zgjedhje, Partia Socialiste ka fituar 83 mandate, Partia Demokratike dhe aleatët e saj 50 vende deputetësh, PSD 3 mandate, Mundësia 2 mandate, Lëvizja Bashkë 1 mandat dhe Nisma Shqipëria Bëhet 1 mandat.

Kujtojmë që më 11 shtator do të mblidhet Asambleja e PS, ku pritet të prezantohen edhe ministrat e qeverisë së re Rama 4. 

Dekretimin e datës 12 shtator për seancën e parë të Parlamentit, që me shumë gjasë do të jetë formale, Presidenti e ka shoqëruar me një mesazh drejtuar ligjvënësve, një pjesë e mirë e të cilëve do të ulen për herë të parë në karrigen e deputetit.

Kreu i shtetit kërkon nga deputetët që të përmbushin angazhimet e tyre, ndërsa thekson se Shqipëria është në një moment historik në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Në përmbushjen e këtij prioriteti madhor Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësuesi i vizionit dhe aspiratës së shqiptarëve për një Shqipëri evropiane”, thotë Begaj.

Një mesazh, Begaj e ka dhe për mazhorancën socialiste, që ka fituar mandatin e 4 radhazi për të qeverisur vendin, për të cilën thotë se duhet të jetë e përulur. Kurse opozitës, Presidenti i bën thirrje që të jetë aktive dhe konstruktive.

“Përgjegjshmëria dhe përulësia nga mazhoranca në ushtrimin e pushtetit duhet të përplotësohet nga një opozitë aktive, konstruktive dhe e përkushtuar ndaj rolit të saj thelbësor në një demokraci. Dialogu dhe respekti për dallimet janë themel i bashkëjetesës demokratike”.