Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky dënon sulmet ruse ndaj godinës qeveritare në Kiev



Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka dënuar ashpër sulmet ajrore të natës të ndërmarra nga Rusia në Kiev, ku për herë të parë që nga fillimi i luftës, është goditur një ndërtesë kryesore qeveritare në kryeqytet. Zelensky e cilësoi sulmin si një “akt të pamëshirshëm” dhe u zotua për një “përgjigje të përshtatshme”, përcjell BBC.

Sipas autoriteteve ukrainase, katër persona kanë humbur jetën, mes tyre një foshnjë, ndërsa mbi 44 të tjerë kanë mbetur të plagosur, pasi goditjet prekën edhe godina banimi në disa pjesë të qytetit. Kjo është hera e parë që një ndërtesë qeveritare goditet drejtpërdrejt, çka ka shkaktuar tronditje të madhe mes banorëve të kryeqytetit. Korrespondenti ynë në terren raporton për tym, shpërthime dhe evakuime të menjëhershme të banorëve të plagosur nga zonat e prekura.

Sulmi ka ngjallur reagime të forta në nivel ndërkombëtar. Kryeministri britanik Keir Starmer u shpreh se ishte “i tmerruar” nga sulmet, duke i cilësuar si një përshkallëzim të rrezikshëm që synon civilët dhe institucionet demokratike. Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron akuzoi Rusinë se “po e mbyll veten në logjikën e luftës dhe terrorit”, duke theksuar se Europa do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se shënjestra të sulmeve ishin vetëm objektiva ushtarake dhe infrastrukturë e lidhur me to, megjithatë pamjet nga terreni dhe dëshmitë e banorëve tregojnë dëme të mëdha në ndërtesa banimi, shkolla dhe objekte civile.

Sulmet ndodhën pak orë pasi presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin të mos dërgojë trupa paqeruajtëse në Ukrainë pas arritjes së një armëpushimi të mundshëm, duke e cilësuar një veprim të tillë si “provokim të papranueshëm”.

Ndërsa lufta vazhdon pa një fund të afërt në horizont, komuniteti ndërkombëtar rrit thirrjet për përmbajtje, por frika se konflikti po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme sa vjen dhe shtohet.