Vendosni fjalën kyçe....

Vetëvendosja propozon Albin Kurtin për një mandat të ri si kryeministër



Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka propozuar zyrtarisht kryetarin e saj, Albin Kurti, për një tjetër mandat në krye të Qeverisë së Kosovës. Propozimi u bë me votë unanime gjatë mbledhjes së 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.

Ky vendim vjen pas fitores së LVV-së në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ku partia e Kurtit siguroi 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës – më shumë se çdo subjekt tjetër, por të pamjaftueshme për të formuar e vetme shumicën qeverisëse.

Propozimi i Kurtit vjen në një moment të tensionuar politik, vetëm pak ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila vendosi një masë të përkohshme që ndalon ndërmarrjen e veprimeve për formimin e Qeverisë së renga data 5 deri më 30 shtator. Ky vendim është kritikuar nga LVV, e cila ka bërë thirrje për vazhdimin e procesit demokratik dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

Gjatë mbledhjes, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, akuzoi partitë e tjera shqiptare për thellimin e krizës institucionale.

“Sivjet e pamë përpjekjen më të rrezikshme për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor… Që prej certifikimit të zgjedhjeve, partitë politike që janë shpallur kundërshtare të Vetëvendosjes janë përpjekur të thonë vetëm një gjë: vetëm një votë më pak se 50 për qind dhe shteti mbetet pa Kuvend,” tha Konjufca.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se si do të evoluojë situata politike në vend, ndërsa masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese mban pezull të gjitha veprimet për formimin e institucioneve të reja.