Vendosni fjalën kyçe....

Burrel–Milot, një aks i harruar, mjegulla dhe infrastruktura e degraduar rrezikojnë jetën e qytetarëve



Drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në aksin kombëtar Burrel–Milot përballen çdo ditë me vështirësi të shumta, veçanërisht gjatë orëve të para të mëngjesit, kur mjegulla e dendur kufizon ndjeshëm fushëpamjen dhe rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.

Problematika nuk ndalet vetëm te kushtet atmosferike. Mungesa e sinjalistikës rrugore dhe amortizimi i theksuar i rrugës, e cila është e mbushur me gropa dhe deformime të rrezikshme, e bëjnë këtë segment tepër problematik për qarkullim të sigurt.

Situata është veçanërisht kritike pranë liqenit të Shkopetit, ku një dalje nga rruga mund të ketë pasoja fatale. Gjatë ditëve me shi, situata rëndohet edhe më tej për shkak të rrëshqitjeve të gurëve, që shpeshherë bllokojnë pjesë të rrugës dhe e kthejnë qarkullimin në një sfidë të rrezikshme.

Drejtuesit e mjeteve i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë me masa urgjente, veçanërisht tani që dimri po afrohet dhe mjegulla është prezente thuajse gjatë gjithë ditës.

Ndërhyrja në këtë segment rrugor është e domosdoshme për të garantuar sigurinë e jetës së qytetarëve dhe për të shmangur aksidente që mund të kenë pasoja tragjike.