Vendosni fjalën kyçe....

Ekstradohet nga Republika Domenikane Soni Pepa, i shumëkërkuar për trafik ndërkombëtar droge



Në orët e para të mëngjesit të së dielës, është finalizuar ekstradimi drejt Shqipërisë i Soni Pepës (i njohur edhe si Vilson Pepa), 41 vjeç, i lindur në Lushnjë, i shumëkërkuar ndërkombëtarisht për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.

Policia e Shtetit bëri të ditur se ekstradimi u realizua në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Santo Domingo, pas arrestimit të tij në Punta Cana, Republikën Domenikane.

Sipas autoriteteve shqiptare, Pepa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale:

  • “Trafikim i narkotikëve”,

  • “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”,

  • “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas të dhënave nga hetimet ndërkombëtare, Soni Pepa është i lidhur me një ngarkesë prej 11 tonësh kokainë, nga të cilat 600 kilogramë u sekuestruan në Roterdam, Holandë, më 7 dhe 8 nëntor 2020. Ai akuzohet gjithashtu për financimin e blerjes së 10 kilogramëve të tjerë në të njëjtin qytet.

Pepa dyshohet të ketë qenë pjesë e një rrjeti kriminal transnacional, aktiv në disa shtete të Evropës dhe Amerikës së Jugut, me objektiv trafikimin e sasive të mëdha të drogës. Ngarkesa e kokainës që përfshinte Pepën, sipas burimeve, ishte nisur nga porti i Villetas në Paraguai, me destinacion final portin e Antverpit në Belgjikë.

Pas mbërritjes në Shqipëri, shtetasi Soni Pepa i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për të vijuar procesin penal ndaj tij.