
Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Durrës, ku policia ka arrestuar një 27-vjeçar që qëlloi me armë gjahu drejt një 34-vjeçari pas një sherri të çastit.
I riu, i identifikuar si Sebastian Toska, u prangos gjatë operacionit të koduar “Shotgun”, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Shijak në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi në sektorin Hamallaj, Fermë Sukth, ku pas një konflikti për motive të dobëta, Toska qëlloi me armë gjahu tip çifte në drejtim të 34 vjeçarit.
Arma e përdorur në incident rezultoi pa leje dhe u sekuestrua nga policia si provë materiale.
Njoftimi:
Parandalohet përshkallëzimi i një konflikti ku u përdor edhe armë gjahu
Finalizohet operacioni policor i koduar “Shotgun”
Arrestohet në flagrancë një 27-vjeçar, i cili pas një konflikti të çastit, qëlloi me armë gjahu në drejtim të një shtetasi tjetër.
Sekuestrohet arma e gjahut që u përdor në ngjarje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, pas njoftimit të marrë për një konflikt të ndodhur në sektorin Hamallaj, Fermë Sukth, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Shotgun”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi S. T., 27 vjeç, banues në sektorin Hamallaj, Fermë Sukth, Durrës.
Ky shtetas, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka qëlluar me armë gjahu çifte në drejtim të shtetasit Sh. H., 34 vjeç, banues në sektorin Hamallaj, Fermë Sukth, Durrës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se arma e gjahut, tip shotgun, ishte pa leje dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, “Prishja e rendit publik” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.