Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Balluku: Sot do ketë ndërprerje të shkurtra të dritave, por problemet do zgjidhen menjëherë


Gjatë ditës së sotme do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të mbingarkesës së rrjetit. Një gjë e tillë është konfirmuar nga ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, e cila megjithatë ka siguruar qytetarët se problemet do të zgjidhen menjëherë.

“Ashtu siç ndodh zakonisht ne marrim mesazhe nga qytetarë të ndryshëm dhe i adresojmë menjëherë duke i dhënë zgjidhje. Kërkoj mirëkuptimin sot të qytetarëve. Ne shpresojmë që për shkak të kushteve të mira atmosferike nuk do të kemi problematika, por ngarkesa do të jetë e shtuar dhe ashtu sikurse eksperienca na e ka treguar mund të ketë ndërprerje të vogla por të cilat do të zgjidhen menjëherë pasi të gjitha grupet janë në gatishmëri.”- tha ministrja sot në Konferencën e fundvitit për mediat me fokus tek Energjia.

Një gjë e tillë është pohuar edhe nga drejtori i OSHEE-së, Ardjan Çela. Ai u shpreh megjithatë: “Garantoj shqiptarët se festat e fundvitit punonjësit e OSHEE janë në gatishmëri!”.

Ministrja Balluku foli edhe për krizën energjetike, duke u shprehur e bindur se qeveria do ia dalë të përballojë rritjen e çmimeve.

“Sot ka çmime të paperceptueshme të blerjes së energjisë. Ne po mundohemi të kemi sa më shumë prodhim vendas dhe t’i drejtohemi sa më pak tregut të huaj. Askush nuk ka qenë i përgatitur për t’u përballur me këto çmime. Por, ne jemi të sigurt që do t’ia dalim.”- tha ajo.