Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama dhe McGonigal u takuan tre herë, u përdor fuqia e FBI kundër opozitës dhe pluralizmit në Shqipëri


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, riktheu sot në vëmendje dosjen McGonigal, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përfshirje në veprimtari të paligjshme me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal.

Në një deklaratë nga selia blu, Berisha tha se Rama është takuar tre herë me McGonigal dhe se me të ka kryer veprimtari kriminale kundër opozitës.

“Inspektori i Përgjithshëm fakton se McGonigal është takuar në Shqipëri dy herë dhe në New York një herë me Ramën, për të cilin miqësia me McGonigal ishte krenari. Ka kryer një veprimtari të përbashkët kriminale me Ramën në pagesat për luftën kundër opozitës shqiptare, në ndërhyrjet për ndryshimin e licencave të naftës kundrejt shumave marramendëse, si dhe në angazhimin e institucioneve amerikane për hetime private për llogari të Ramës dhe Tom Doshit në Vjenë,” tha Berisha.

Sipas tij, përdorimi i FBI-së për hetime ndaj opozitës përbën një shkelje të rëndë kushtetuese dhe një krim të rëndë në ligjin amerikan, shqiptar dhe atë ndërkombëtar.

“Të përdorësh FBI kundër opozitës, ke kryer një krim të rëndë antikushtetues. Ke përdorur forcën e institucionit hetues më të fuqishëm në botë kundër pluralizmit politik në Shqipëri,” deklaroi kreu i PD.

Berisha shtoi se raporti i Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit amerikan të Drejtësisë nxjerr në pah edhe përfshirjen e personave të tjerë të lidhur me Ramën, përfshirë shtetas izraelitë, të cilët sipas tij janë pjesë e enturazhit të kryeministrit shqiptar.