Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Santo Domingo i shumëkërkuari Soni Pepa, i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge



Autoritetet dominikane kanë arrestuar në Santo Domingo 40-vjeçarin Soni Pepa, i dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe i shpallur në kërkim nga SPAK në Shqipëri.

Sipas mediave vendase, arrestimi u krye në pasditen e 3 shtatorit nga Interpoli në Distriktin Kombëtar. Në momentin e ndalimit, Pepa kishte me vete një pasaportë shqiptare, dokumente italiane, pesë telefona të koduar dhe një shumë parash cash.

Soni Pepa është i lidhur me një ngarkesë prej 11 tonësh kokainë, nga të cilat 600 kilogramë u sekuestruan në portin e Roterdamit, në Holandë, mes datave 7 dhe 8 nëntor 2020. Ai akuzohet gjithashtu për financimin e blerjes së 10 kilogramëve të tjerë droge në të njëjtin qytet.

Sipas raporteve ndërkombëtare, Pepa dyshohet të jetë pjesë e një rrjeti kriminal transnacional, që vepronte në disa vende të Evropës dhe Amerikës Latine. Ngarkesa e kokainës për të cilën ai akuzohet është nisur nga porti i Villetas në Paraguai, me destinacion përfundimtar portin e Antverpit në Belgjikë.

Pas arrestimit, Pepa u dërgua në Drejtorinë e Përgjithshme të Imigracionit në Santo Domingo, ku po mbahet në pritje të deportimit, në koordinim me INTERPOL-in lokal. Autoritetet shqiptare pritet të kërkojnë ekstradimin e tij për t’u përballur me drejtësinë.