Vendosni fjalën kyçe....

Rakipi: Dekriminalizimi i shpifjes s’është standard ndërkombëtar, përjashtimi i gazetarëve fyes për vetë ata


Kreu i grupit të punës për Kodin e ri Penal Arben Rakipi sqaroi shqetësimet e gazetarëve lidhur me një nen të propozuar mbi pavarësinë e gjykatave.

Bëhet fjalë për nenin 536 i cili parashikon burg mbi komentet që bëhen për një çështje gjyqësore përmes të cilave synohet ushtrimi i ndikimit. SIpas Rakipit, neni në fjalë nuk ka të bëjë më profesionin e gazetarit dhe as ka tendencë ndaj tyre.

“Pavarësia e gjykatës dhe ndikimi në sistem. Unë dua të siguroj të gjithë ata që u përfshinë, edhe gazetarët sigurisht, që nuk ka asnjë tendencë, do të ishte kriminale nëse do të ishte. Ne jemi të bindur që në proporcionalitetin e interesave publikë në këtë çështje prevalon interesi i drejtësisë. Çështjet e fjalës së lirë janë gjithmonë të ndjeshme, dhe ekuilibri është gjithnjë prezent. Dispozita qartazi nuk e lidh këtë çështje me profesionin e gazetarit. Por lidhet me qëllimin e mbrapsht, qëllimin e dezinformimit, qëllimin për të ndikuar në vendimin e gjykatës, presionin. Të gjitha këto që thashë nuk kanë lidhje me misionin e gazetarëve dhe nuk mund t’i takojë atyre. Sistemi ynë gjyqësor goditet ditë pas dite.”, tha Rakipi.

Lidhur me nenin 865 për shpifjen, Rakipi vërejti se kërkesa për të përjashtuar gazetarët është fyese në radhë të parë për vetë gazetarët.

Ai theksoi se dekriminalizimi i shpifjes nuk është një standard ndërkombëtar ndërsa shtoi se konsultimi publik do ndihmojë në këtë drejtim.

“Sa i përket shpifjes, kërkesa për të përjashtuar gazetarin për mendimin tim është fyese për gazetarët. Shpifja nuk lidhet me punën e tyre. Shqipërisë nuk mund t’i vijë e keqja nga parashikimi i shpifjes në Kod Penal.  Unë mendoj që pikëpamja të zbutet dhe të vendoset një ekuilibër i interesave në këtë. Unë uroj që çështja të mos rrezikojë standardet juridike. Dekriminalizimi i shpifjes nuk është standard ndërkombëtar. Depenalizimi i shpifjes është një orientim politik dhe gjyqësor, që ka filluar të përkrahet në disa vende, në pakicën e vendeve të BE dhe të OSBE-së. Vendet e rajonit e kanë depenalizuar. Duke mos qenë standard atëherë i shtohen pikët plotësimit të nevojave të vendit, na duhet apo jo?  Megjithatë konsultimi publik do të na ndihmojë në këtë drejtim. Mund të dëgjohet edhe mendimi i viktimave. Mund të bëhet një analizë e përhapjes, sa e përhapur është shpifja dhe kush shpif? Kjo e fundit mund të ndihmojë për të mos vlerësuar si subjekte profesione të caktuara.”, shtoi Rakipi.