
Presidenti francez Emmanuel Macron shqyrtoi mundësinë e një vizite të papritur në Izrael javën e kaluar, përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku Franca planifikon të njohë një shtet palestinez – por kryeministri Benjamin Netanyahu e hodhi poshtë idenë dhe vendosi një kusht, raportoi të mërkurën transmetuesi publik i Izraelit Kan 11, shkruan Ynet.
Sipas ish-anëtarit francez të Parlamentit Meyer Habib, Netanyahu përcolli se Macron do ishte i mirëpritur në Izrael vetëm nëse ai tërhiqte planin e tij për të njohur Palestinën. Megjithatë, Macron thuhet se qëndroi i vendosur dhe hodhi poshtë kërkesën e Izraelit.
Debati diplomatik u përhap edhe në mediat sociale. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, sulmoi Macronin në X, duke shkruar: “Presidenti Macron është shumë i shqetësuar për vizat për zyrtarët e lartë të Autoritetit Palestinez. Kjo është ajo që e mban zgjuar natën. Ai nuk proteston kundër nxitjes së shfrenuar në sistemin arsimor të Autoritetit Palestinez kundër Izraelit dhe hebrenjve. As nuk kundërshton pagat për terroristët dhe familjet e tyre.”
Sa’ar akuzoi Macronin se “përpiqet të ndërhyjë nga jashtë në një konflikt në të cilin ai nuk është palë, në një mënyrë krejtësisht të shkëputur nga realiteti në terren pas 7 tetorit”, duke shtuar se veprimet e presidentit francez “minojnë stabilitetin rajonal dhe e shtyjnë Lindjen e Mesme dhe sistemin ndërkombëtar drejt lëvizjeve të njëanshme. Veprimet e tij janë të rrezikshme – ato nuk do të sjellin paqe”.