Vendosni fjalën kyçe....

Putin i drejtohet Ukrainës: Përfundoni luftën përmes bisedimeve


Presidenti rus Vladimir Putin i bëri thirrje Kievit që t’i japë fund luftës në Ukrainë përmes negociatave, duke paralajmëruar se në të kundërtën, Moska do të detyrohet të realizojë objektivat e saj me forcë.

Më duket se, nëse mbizotëron arsyeja, do të mund të arrihet një zgjidhje e pranueshme për t’i dhënë fund këtij konflikti. Ky është mendimi im,” tha Putin gjatë një konference për media në Pekin, ku mori pjesë në samitin e SCO-së dhe paradën ushtarake për 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, përcjell Reuters.

Ai tha se po shihte “një dritë në fund të tunelit” për shkak të përpjekjeve që, sipas tij, administrata e presidentit amerikan Donald Trump po bën për të gjetur një marrëveshje paqeje. “E shohim jo vetëm në deklaratat e tyre, por edhe në dëshirën e sinqertë për ta gjetur këtë zgjidhje,” shtoi ai.

Megjithatë, Putin nuk dha asnjë shenjë se do të hiqte dorë nga kërkesat e tij afatgjata që Ukraina të heqë dorë nga aspiratat për t’u anëtarësuar në NATO, të ndalojë atë që Moska e quan diskriminim ndaj rusishtfolësve dhe të pranojë kontrollin e plotë të Rusisë mbi të paktën rajonin e Donbasit.

Sa i përket mundësisë për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, Putin tha:
Nuk e kam përjashtuar kurrë mundësinë e një takimi të tillë. Por a ka ndonjë kuptim? Le të shohim,” ndërsa përsëriti se një takim i tillë duhet të përgatitet mirë dhe të prodhojë rezultate konkrete.

Ai gjithashtu e quajti Zelenskiyn “të paligjshëm”, duke iu referuar faktit që ai nuk është rizgjedhur për shkak të ligjit ushtarak.

Kievi i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar se zgjedhjet janë të pamundura për sa kohë vendi është në luftë.

Nga ana tjetër, Zelenskiy ka bërë thirrje për një takim të drejtpërdrejtë me Putinin dhe i ka kërkuar SHBA-së të vendosë sanksione shtesë ndaj Moskës nëse Rusia nuk tregon gatishmëri për marrëveshje.

Presidenti Trump, i cili po përpiqet të ndërmjetësojë një zgjidhje, ka shprehur dëshirën që dy liderët të takohen, edhe pse sanksionet dytësore ndaj Rusisë ende nuk janë vendosur.