
Një nga tërmetet më të rënda në Afganistan vrau më shumë se 800 persona dhe plagosi të paktën 2,800 të tjerë, thanë autoritetet të hënën, ndërsa ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë në zonat e largëta për shkak të terrenit të ashpër malor dhe motit të keq.
Katastrofa do t’i rëndojë më tej burimet e administratës talebane të vendit të shkatërruar nga lufta, e cila tashmë po përballet me kriza që variojnë nga një rënie e ndjeshme e ndihmës së huaj deri te dëbimet e qindra mijëra afganëve nga vendet fqinje, shkruan Reuters.
Sharafat Zaman, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Kabul, bëri thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të përballuar shkatërrimin e shkaktuar nga tërmeti me magnitudë 6 që goditi rreth mesnatës sipas orës lokale, me një thellësi prej 10 km.
Tërmeti vrau 812 persona në provincat lindore të Kunar dhe Nangarhar, tha zëdhënësi i administratës Zabihullah Mujahid.
Ekipet e shpëtimit po luftonin për të arritur në zonat e largëta malore të shkëputura nga rrjetet mobile përgjatë kufirit pakistanez, ku shtëpitë me tulla balte të shpërndara në shpate u shembën nga tërmeti.


