Vendosni fjalën kyçe....

Putin mbërrin në Tianjin për samitin e sigurisë në Kinë


Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur të dielën në qytetin port të Tianjinit, në veri të Kinës, për një vizitë katërditore me fokus pjesëmarrjen në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), raportojnë mediat shtetërore kineze dhe ruse.

Putin u prit me tapet të kuq dhe përfaqësues të lartë të qytetit, sipas pamjeve të transmetuara nga TASS, përcjell Reuters.

Ky është një prej udhëtimeve të rralla të liderit rus jashtë vendit, ndërkohë që marrëdhëniet Moskë–Pekin po përshkruhen si më të fortat në histori.

Televizioni shtetëror kinez CCTV theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë “në nivelin më të mirë në histori”, duke i cilësuar si “më të qëndrueshmet, më të pjekurat dhe me rëndësi strategjike mes fuqive të mëdha”.

Samiti i dy-ditor, ku do të marrin pjesë rreth 20 liderë botërorë, përfshin edhe kryeministrin indian Narendra Modi dhe është mbledhja më e madhe e SCO-së që prej themelimit të saj në vitin 2001.

Organizata, e cila nisi si një forum sigurie për gjashtë vende euroaziatike, tani përfshin 10 anëtarë të përhershëm dhe 16 vende me status vëzhgues ose partnerë dialogu.

Fokusi i saj është zgjeruar nga bashkëpunimi për sigurinë dhe lufta kundër terrorizmit, drejt fushave ekonomike dhe ushtarake.

Samiti pritet të përdoret nga presidenti kinez Xi Jinping për të shfaqur një vizion të rendit ndërkombëtar pas dominimit amerikan dhe për t’i dhënë një mbështetje të fuqishme diplomatike Rusisë, e cila përballet me sanksione të ashpra pas pushtimit të Ukrainës.

Në një intervistë me agjencinë zyrtare Xinhua, një ditë para mbërritjes në Kinë, Putin kritikoi ashpër sanksionet perëndimore, duke thënë se Moska dhe Pekini kundërshtojnë së bashku “sanksionet diskriminuese në tregtinë globale”.

Ekonomia ruse është nën presion të lartë për shkak të kostove të luftës dhe kufizimeve tregtare, ndërsa samiti shihet si një përpjekje për të forcuar lidhjet me vendet e ashtuquajtura të “Jugut Global”, ku përfshihen shtete nga Azia Qendrore, Lindja e Mesme, Azia Jugore dhe Azia Juglindore.