
Rojet Revolucionare të Iranit njoftuan të shtunën arrestimin e tetë personave, të cilët dyshohet se kishin planifikuar të transmetonin koordinata të objekteve të ndjeshme dhe informacione mbi figura të larta ushtarake drejt agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad, raportuan mediat shtetërore iraniane.
Sipas njoftimit, të arrestuarit akuzohen se kishin ofruar të dhëna për Mossad-in gjatë sulmeve ajrore të Izraelit ndaj Iranit në muajin qershor, kur u goditën disa objekte bërthamore dhe u vranë komandantë të lartë ushtarakë dhe civilë, sulmi më i rëndë ndaj Republikës Islamike që nga lufta me Irakun në vitet 1980, përcjell Reuters.
Në deklaratën e Gardës thuhet se personat kishin marrë “trajnim të specializuar nga Mossad përmes platformave online” dhe u kapën në verilindje të Iranit para se të realizonin planet e tyre.
Autoritetet thanë se gjatë operacionit u sekuestruan materiale për ndërtimin e lëshuesve, bombave, eksplozivëve dhe kurtheve shpërthyese.
Mediat shtetërore iraniane raportuan më herët këtë muaj se gjatë 12 ditëve të konfliktit me Izraelin, policia arrestoi deri në 21 mijë “të dyshuar”, pa dhënë detaje për akuzat konkrete ndaj tyre.
Gjatë atij konflikti, i cili përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA, forcat e sigurisë zhvilluan një fushatë arrestimesh masive dhe shtuan praninë në rrugë.
Irani ka ekzekutuar të paktën tetë persona në muajt e fundit, mes tyre edhe shkencëtari bërthamor Rouzbeh Vadi, i cili u var më 9 gusht pasi u akuzua për kalimin e informacionit tek Izraeli mbi një tjetër shkencëtar të vrarë në sulmet ajrore izraelite.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar autoritetet iraniane se përdorin akuzat për spiunazh dhe ekzekutimet e përshpejtuara si mjete për të shtypur kundërshtarët dhe për të rritur presionin politik brenda vendit.