Vendosni fjalën kyçe....

Piloti polak humb tragjikisht jetën gjatë akrobacive, përplaset me pistën (Video)


Një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore Polake, pjesë e ekipit elitar akrobatik “Tiger Demo”, u rrëzua gjatë provave për Shfaqjen Ajrore Radom, duke vrarë menjëherë pilotin, konfirmoi ushtria e vendit.

Incidenti ndodhi në Bazën Ajrore Radom, rreth 100 km në jug të Varshavës, në orën 19:25 sipas orës lokale të enjten, ndërsa piloti po kryente një manovër me shpejtësi të lartë.

Videot e filmuara nga spektatorë të tronditur nga kënde të ndryshme tregojnë se F-16 ulet ndjeshëm me shpejtësi të plotë para se të godasë pistën, duke mos arritur ta përfundojë manovrën. Goditja dërgoi një top zjarri dhe tym të dendur në qiell ndërsa avioni që digjej rrëshqiti përgjatë pistës, pa asnjë shenjë se piloti u përpoq të hidhej.

Ekipet e emergjencës nxituan në vendngjarje, por piloti u shpall i vdekur në vendngjarje. Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslas Kosiniak-Kamysz, e quajti incidentin “një humbje të madhe për Forcën Ajrore dhe të gjithë Ushtrinë Polake”, duke i shprehur ngushëllime familjes së pilotit. Kryeministri Donald Tusk e përsëriti këtë deklaratë, duke e përshkruar vdekjen e pilotit si “një tragjedi që na mbush me pikëllim”, shkruan RT.

Viktima u identifikua si Major Maciej ‘SLAB’ Krakowian, një nga pilotët akrobatikë më me përvojë të Polonisë dhe interpretuesi kryesor i Ekipit Demo Tiger. Sipas programit zyrtar të shfaqjes ajrore, shfaqja e tij në F-16 Fighting Falcon do ishte një nga pikat kulmore të ngjarjes së këtij viti, duke shfaqur manovra ekstreme “plot dinamikë, precizion dhe faktorë ngarkese ekstreme”.

Forcat e Armatosura Polake thanë se avioni i përkiste Bazës së 31-të Taktike Ajrore në Krzesiny, pranë Poznanit. Zyrtarët deklaruan se askush në tokë nuk u lëndua dhe se një hetim formal është nisur për shkakun e aksidentit.