Vendosni fjalën kyçe....

Tarifat 50% të Trump ndaj Indisë rrisin tensionet tregtare, Delhi dhe Uashingtoni nisin dialog për zgjidhje


India është futur zyrtarisht në listën e vendeve që përballen me tarifat më të larta në botë, pasi tarifa totale 50% (25% ekzistuese + 25% shtesë) ndaj mallrave indiane që eksportohen në SHBA hyri në fuqi më 27 gusht.

Administrata e Presidentit Donald Trump e justifikon këtë vendim me bllokimin e marrëveshjes tregtare mes dy vendeve dhe akuzat se tregtia e naftës së Indisë me Rusinë po financon indirekt luftën në Ukrainë.

Burime qeveritare në Delhi konfirmuan për mediat se ka nisur dialogu me SHBA për të gjetur një zgjidhje për përplasjen tarifore, por negociatat pritet të jenë të vështira pasi India ka bërë të qartë se siguria e saj energjetike është prioritet, përcjell The Times of India.

Një raport i Barclays paralajmëroi se rreth 70% e eksporteve të Indisë drejt SHBA-së janë tani “nën kërcënim serioz”, duke theksuar: “Rreziqet për rritjen ekonomike të Indisë janë bërë më reale me këto tarifa”.

Në Uttar Pradesh, ish-kryeministri i shtetit dhe kreu i Partisë Samajwadi, Akhilesh Yadav, akuzoi qeverinë e kryeministrit Narendra Modi për “dështim të politikës së jashtme”. Ai deklaroi se eksportuesit janë në prag të kolapsit: “Ciklet e pagesave janë ndërprerë, furnitorët janë nën presion dhe industritë që mbajnë me bukë miliona familje janë të paralizuara”. Yadav kërkoi një “mburojë mbështetëse” për eksportuesit dhe shtoi: “Ky është mrekullia e politikës së jashtme të BJP-së. Prosperiteti do të kthehet vetëm kur BJP të largohet nga pushteti”.

Ndërkohë, analistët paralajmërojnë se bursat indiane do të përballen me luhatje të forta.

Ekspertët thonë se sektorë si tekstilet, bizhuteritë, lëkura dhe makineritë do të jenë nën presion të madh. V. K. Vijayakumar nga Geojit Investments theksoi: “Tregjet do të hapen më poshtë, por investitorët vendas me likuiditet të fortë do të ofrojnë mbështetje. Ndikimi në të ardhurat totale të korporatave mbetet minimal”.

Një raport i Nomura tregoi se kompanitë në Azi kishin rritur ndjeshëm eksportet drejt SHBA-së në muajt e parë të vitit përpara hyrjes në fuqi të tarifave, duke sjellë rritje të forta në Tajvan, Tajlandë, Vietnam dhe Indi.

Por studimi paralajmëron se ky efekt është i përkohshëm dhe gjysma e dytë e vitit mund të sjellë “goditje të forta” për eksportuesit.

Për momentin, dialogu mes Delhi-t dhe Uashingtonit mbetet i hapur, por perspektivat për një marrëveshje të shpejtë tregtare duken të largëta, ndërsa presioni mbi ekonominë e pestë më të madhe në botë po rritet çdo ditë.