
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe Drejtues Politik i qarkut Fier, Gazment Bardhi, ka publikuar pamje të reja nga kamerat e Qendrës së Votimit në qarkun Fier, që sipas tij dokumentojnë manipulime të zgjedhjeve nga komisionerë, vëzhgues dhe patronazhistë të Partisë Socialiste.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Bardhi thekson se pamjet tregojnë sesi disa persona votojnë në vend të qytetarëve ose kontrollojnë në dhomën e fshehtë mënyrën se si qytetarët ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Ai akuzon se kjo përbën pjesë të një manipulimi të gjerë të zgjedhjeve dhe kritikon mungesën e veprimit nga autoritetet për ndëshkimin e këtyre shkeljeve.
Në postimin e tij, Bardhi shkruan:
“Janë të pafundme rastet konkrete me zë dhe figurë që dëshmojnë zëvëndësimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qarkun Fier me farsën elektorale të 11 majit, të dirigjuar nga Belinda Balluku dhe banda e saj elektorale.
Pamjet i përkasin qendrave të votimit 2846, bashkia Divjakë, dhe 2867, bashkia Lushnjë, ku shfaqen komisionerë dhe vëzhgues patronazhistë që orientojnë qytetarët si të votojnë, ushtrojnë presion dhe madje votojnë në vend të tyre, me qëllim që ‘produkti’ i farsës elektorale të jetë 100% i kontrolluar.
Deri më tani kemi publikuar me qindra raste të shkeljes së fshehtësisë së votimit, votimit më shumë se një herë dhe presionit ndaj votuesve, të provuara nga pamjet filmike të KQZ, të cilat mund të administrohen lehtësisht nga Prokuroria. Por deri tani askush nuk ka marrë masa për këtë vjedhje të madhe elektorale, dhe duket se nuk do ta bëjë as në të ardhmen, duke provuar fatkeqësisht se Edi Rama, Belinda Balluku dhe banda e tyre elektoralë vepruan me syshkeljen e task forcës për krimet zgjedhore.”