
Nigel Farage, kreu i partisë së djathtë Reform UK të Britanisë, tha të martën se nëse fiton zgjedhjet e ardhshme, do largohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe do ndalojë dhe dëbojë menjëherë këdo që mbërrin në vend në mënyrë të paligjshme, përfshirë fëmijët.
Farage paraqiti planet e tij për të luftuar emigracionin e paligjshëm pas një rritjeje të ndjeshme të numrit të emigrantëve që mbërrijnë me anije përmes Kanalit Anglez dhe javëve të tëra protestash kundër përdorimit të hoteleve nga qeveria për të strehuar azilkërkuesit.
“Nëse vini në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme, do ndaloheni dhe dëboheni dhe kurrë, kurrë nuk do lejoheni të qëndroni, pikë,” tha Farage në një konferencë për shtyp.
“Atmosfera në vend rreth kësaj çështjeje është një përzierje midis dëshpërimit total dhe zemërimit në rritje”, shtoi ai, duke pretenduar se tani ekziston “një kërcënim i vërtetë për rendin publik” nëse nuk ndërmerren veprime.
Ai tha se çështja “si i trajtojmë fëmijët është shumë më e ndërlikuar”, por shtoi: “Gratë dhe fëmijët, të gjithë ata që mbërrijnë do ndalohen.”
Pavarësisht se mban vetëm 4 nga 650 vendet në Dhomën e Komunave, partia e Farage ka fituar vrull duke shfrytëzuar zhgënjimin publik për pamundësinë e qeverive të njëpasnjëshme për të ulur numrin e emigrantëve që vijnë me anije. Sondazhet kombëtare kanë sugjeruar se mbështetja për Reform UK është e barabartë ose tejkalon atë të Partisë Laburiste në pushtet dhe Konservatorëve.
Farage, i cili prej kohësh është përpjekur të lidhë probleme të tilla si kujdesi shëndetësor publik dhe strehimi me mbërritjet e rmigrantëve, përsëriti qëndrimin e tij se Mbretëria e Bashkuar po “pushtohet” nga emigrantët. Ai tha se do prezantojë politika për të dëbuar masivisht qindra mijëra njerëz gjatë pesë viteve të para të qeverisjes, shkruan ABC.
Reform UK do largohet nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut dhe do shfuqizojë ose “çaktivizojë” të gjitha traktatet e tjera të të drejtave për të ndaluar të gjitha kërkesat për azil dhe për të siguruar që emigrantët që mbërrijnë pa autorizim të dëbohen, shtoi ai. I pyetur në lidhje me perspektivën e torturimit ose vrasjes së azilkërkuesve nëse ata do të ktheheshin në vendet nga të cilat ikën, Farage tha: “Alternativa është të mos bëjmë asgjë…Ne nuk mund të jemi përgjegjës për të gjitha mëkatet që ndodhin në të gjithë botën.”
Pothuajse 29,000 njerëz kanë kaluar Kanalin Anglez me anije deri më tani në vitin 2025, rreth 50% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të hënën, 659 migrantë mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije.
Një numër shumë më i madh njerëzish – mbi 111,000 – aplikuan për azil në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit deri në qershor, tregojnë shifrat zyrtare.
Planet e dëbimit të Reform UK pasqyrojnë politika të ngjashme të ashpra të emigracionit nga Gjermania, e cila dëboi dhjetëra burra afganë në atdheun e tyre muajin e kaluar.