Vendosni fjalën kyçe....

25 vende i kërkojnë Izraelit të tërheqë planin për Bregun Perëndimor


Ministri i Jashtëm George Gerapetritis u është bashkuar homologëve nga vendet evropiane, Australia dhe Britania në dënimin e përbashkët të planeve të Izraelit për të ndërtuar një vendbanim në lindje të Jerusalemit.

Miratimi i projektit “E1” do ndajë Bregun Perëndimor dhe do e shkëpusë atë nga Jerusalemi Lindor, duke copëtuar territorin që palestinezët kërkojnë për një shtet të pavarur, shkruan Ekathimerini.

Ky vendim u njoftua javën e kaluar nga ministri i Financave i partisë së djathtë, Bezalel Smotrich, dhe mori miratimin përfundimtar nga një komision planifikimi i Ministrisë së Mbrojtjes të mërkurën.

“Vendimi i Komitetit të Lartë të Planifikimit Izraelit për të miratuar planet për ndërtimin e vendbanimeve në zonën E1, në lindje të Jerusalemit, është i papranueshëm dhe një shkelje e së drejtës ndërkombëtare”, thanë ministrat e jashtëm në një deklaratë të përbashkët.

“Ne e dënojmë këtë vendim dhe bëjmë thirrje për anulimin e tij të menjëhershëm me forcën më të madhe”, thanë ministrat nga Australia, Belgjika, Britania, Kanadaja, Qiproja, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Islanda, Irlanda, Italia, Japonia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovenia, Spanja dhe Suedia.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e cila është nënkryetare e Komisionit Evropian, iu bashkua deklaratës.

Izraeli e hodhi poshtë menjëherë deklaratën, duke thënë se “hedh poshtë përpjekjen për t’i imponuar diktatet e huaja”.

“E drejta historike e hebrenjve për të jetuar kudo në Tokën e Izraelit – vendlindjen e popullit hebre – është e padiskutueshme”, tha Ministria e Jashtme e Izraelit në një deklaratë, duke shtuar se Izraeli po vepronte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Populli hebre është populli indigjen i Tokës së Izraelit. Në asnjë moment në histori nuk ka pasur kurrë një shtet palestinez dhe çdo përpjekje për të argumentuar ndryshe nuk ka bazë ligjore, faktike ose historike”, tha deklarata.

Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Gazën në luftën e vitit 1967 në Lindjen e Mesme dhe ka zgjeruar vendbanimet në Bregun Perëndimor ndërsa vazhdon luftën e tij me Hamasin në Gaza. Rreth 700,000 kolonë izraelitë tani jetojnë midis 2.7 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

“Ky plan do e bëjë të pamundur një zgjidhje me dy shtete duke ndarë çdo shtet palestinez dhe duke kufizuar qasjen e palestinezëve në Jerusalem”, thuhej në deklaratën e ministrave, duke i bërë thirrje qeverisë izraelite të tërheqë planin.