
Partia e Lirisë, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Tedi Blushi, ka denoncuar këtë të hënë se ndërsa 251 kriminelë të shpallur në kërkim shëtisin të lirë, opozita mbahet në burg.
Sipas Blushit, kjo është “prova më e qartë e kapjes totale të shtetit nga mafia nën regjimin e kryeministrit Edi Rama”, duke akuzuar SPAK-un, GJKKO-në, Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Informativ se janë shndërruar në “filiale të mafias”.
“Mos-ekzekutimi i 251 urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK dhe të miratuara nga GJKKO kundër kriminelëve më të rrezikshëm në Shqipëri është konfirmimi zyrtar i kapjes totale të shtetit nga mafia,” u shpreh Blushi.
Ai theksoi se këta persona janë “partnerë të ngushtë elektoralë të Ramës dhe pjesë e narkopushtetit të tij”, ndërsa opozita, sipas tij, po përndiqet politikisht.
Në deklaratë, Blushi i referohet edhe rrëmbimit të Ilir Metës, që sipas tij u krye nga “policë-banditë”, si dhe ndërprerjes së sinjalit të televizionit News24, duke e cilësuar një akt të rëndë censure.
“Vetëm domosdoshmëria për shembjen e këtij regjimi dhe rikthimi i sovranitetit te qytetarët mbi shtetin është e vetmja zgjidhje,” përfundon reagimi i Partisë së Lirisë.