
“Një ditë e madhe në Shtëpinë e Bardhë. Nuk kemi pasur kurrë kaq shumë liderë europianë në të njëjtën kohë. Një nder i madh për Amerikën. Të shohim se cilat do të jenë rezultatet,” u shpreh presidenti amerikan Donald Trump për takimin e tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do të jetë i shoqëruar nga liderët europianë.
Presidenti ukrainas Zelensky tha se Vladimir Putin synon të “poshtërojë përpjekjet diplomatike” përpara takimit në Shtëpinë e Bardhë dhe raportoi se 10 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve “cynike” ruse në Ukrainë, përcjell BBC.
Në bisedimet që zhvillohen të dielën dhe të hënën në Uashington, Kryeministri britanik Keir Starmer dhe udhëheqës të Bashkimit Evropian do t’i bashkohen takimeve si një shenjë uniteti dhe mbështetjeje për Ukrainën.
Presidenti Trump ka përjashtuar mundësinë që Ukraina të bashkohet me NATO-n dhe të rikthejë Krimenë, e cila u aneksua në mënyrë të paligjshme nga Moska në 2014, si pjesë e një marrëveshjeje të ardhshme paqeje për të përfunduar luftën Rusinë-Ukrainë.
Megjithatë, përfaqësuesi i tij special deklaroi të dielën se Putin kishte pranuar të ofronte garanci të “forta” sigurie për Ukrainën, përfshirë mundësinë e një marrëveshjeje mbrojtjeje në stilin e NATO-s. Kremlini ende nuk ka komentuar për këtë çështje.
Takimi synon të adresojë interesat dhe kërkesat e SHBA-së, Ukrainës, Rusisë dhe Evropës, ndërkohë që pikëpyetjet kryesore mbeten tek garancitë e sigurisë, statusi i Krimesë dhe kufijtë e ardhshëm të Ukrainës. Analistët e sigurisë theksojnë se rezultatet e këtyre bisedimeve mund të ndikojnë ndjeshëm në dinamikën e luftës dhe diplomacisë në rajon.