Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytje vdekjeprurëse në Kashmir, 46 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur



Të paktën
46 persona kanë humbur jetën në fshatin Chositi të distriktit Kishtwar në Kashmirin e administruar nga India, pas një përmbytjeje të shkaktuar nga një shpërthim resh (cloudburst). Fshati ndodhet në një rrugë të ngarkuar pelegrinazhi drejt një tempulli të famshëm në Himalaje, dhe në momentin e fatkeqësisë po strehoste qindra pelegrinë hindu, përcjell BBC.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë rrjedhje të fuqishme uji që marrin përpara automjete, shtëpi të shkatërruara dhe ekipet e shpëtimit që kërkojnë të mbijetuar mes rrënojave, ndërsa banorë të mbuluar me baltë qajnë nëpër rrugë. Një kuzhinë e madhe komunitare, ku pelegrinët po konsumonin drekën, u mor tërësisht nga uji.

Zyrtarët thonë se të paktën 50 persona janë ende të zhdukur dhe operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë, megjithëse terreni i vështirë dhe moti i keq po pengojnë punën e ekipeve. Një pjesë e rrugës është shkatërruar, duke e bërë të pamundur përdorimin e helikopterëve.

Ministri federal Jitendra Singh tha se përmbytja është e një “shkalle masive” dhe numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm. Kryeministri i rajonit, Omar Abdullah, e cilësoi situatën si një “tragjedi” dhe anuloi disa aktivitete kulturore të planifikuara për festimet e Ditës së Pavarësisë së Indisë.

Kryeministri indian Narendra Modi u shpreh se do të ofrohet “çdo ndihmë e mundshme” për të prekurit.

Përmbytjet kanë goditur edhe rajone të tjera të Indisë veriore javët e fundit. Vetëm javën e kaluar, një fshat në Uttarakhand u përmbyt pothuajse gjysmë, duke lënë dhjetëra persona të zhdukur.