Vendosni fjalën kyçe....

Izraelitët i bëjnë thirrje Trump të bëjë një marrëveshje që do të ndalojë luftën në Gaza



Ish-pengje izraelite dhe e veja e një pengu të vrarë nga Hamas i janë drejtuar presidentit amerikan Donald Trump me një apel publik për të mbështetur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të ndalonte luftën mes Izraelit dhe Hamasit dhe do të siguronte lirimin e 50 pengjeve që ende mbahen në Rripin e Gazës, përcjell Jerusalem Post.

Videoja, e publikuar nga Hostages and Missing Families Forum, paraqet gjashtë të mbijetuar nga robëria – Naama Levy, Ohad Ben Ami, Doron Steinbrecher, Sasha Troufanov, Arbel Yehoud dhe Iair Horn – si dhe Michal Lobanov, bashkëshorti i së cilës, Alexander Lobanov, u vra nga Hamas në gusht.

Ata falënderuan Trump-in për rolin e tij në lirimin e 39 pengjeve më herët dhe e ftuan të ndërhyjë sërish. Disa prej tyre theksuan se intensifikimi i operacioneve ushtarake të IDF-së rrezikon drejtpërdrejt jetët e pengjeve që mbeten në duart e Hamasit.

Ohad Ben Ami përshkroi ditët e kaluara në tunelet nën tokë në Gaza: “Do të thotë uri e pafund, frikë e përhershme dhe errësirë. Çdo ditë është një luftë për të mbijetuar.”
Doron Steinbrecher kujtoi momentet e panikut gjatë bombardimeve, ndërsa Sasha Troufanov paralajmëroi: “Çdo plumb, çdo goditje, mund të jetë ajo që i merr jetën.”

Michal Lobanov tha se burri i saj u vra pas rritjes së presionit ushtarak: “U kthye tek unë në arkivol. President Trump, ju lutem veproni tani, para se të jetë vonë.”
Iair Horn shtoi: “Ju keni fuqinë të bëni histori – të jeni presidenti i paqes, ai që i ktheu në shtëpi të gjithë pengjet, përfshirë vëllain tim të vogël.”

Videoja përfundon me të gjithë folësit që thërrasin: “Bring them home. Bring them home. Bring them home”, ndërsa Naama Levy mbyll me mesazhin: “Seal the deal.”